Pasi thirri pranë vetes dymbëdhjetë dishepujt, Jezui u dha atyre pushtet për të dëbuar shpirtrat e ndyrë e për të shëruar çdo sëmundje e lëngatë. Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut e Gjoni, vëllai i tij; Filipi e Bartolomeu; Thomai e Mate Tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu; Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu: «Mos shkoni udhës së kombeve e mos hyni në asnjë qytet samaritanësh, por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”. Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni. Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër, as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet. Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t'ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni. Kur të hyni në një shtëpi, përshëndetini. Nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë mbi të paqja juaj, por nëse nuk ju pret mirë, le të kthehet paqja juaj te ju. Dhe nëse ndokush nuk do t'ju pranojë apo nuk do të dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni nga ajo shtëpi, apo nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët. Me të vërtetë po ju them se në ditën e gjykimit më lehtë do ta ketë Sodoma e Gomorra, sesa ai qytet».