Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 1:12-23

Mateu 1:12-23 AL1

Pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli, Salatielit i lindi Zorobabeli, Zorobabelit i lindi Abiudi, Abiudit i lindi Eliakimi, Eliakimit i lindi Azori, Azorit i lindi Sadoku, Sadokut i lindi Akimi, Akimit i lindi Eliudi, Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matani, të cilit i lindi Jakobi. Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezui, i quajtur Krisht. Breznitë nga Abrahami deri te Davidi janë gjithsej katërmbëdhjetë, nga Davidi deri te shpërngulja në Babiloni katërmbëdhjetë dhe nga shpërngulja në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë brezni. Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të bashkoheshin, ajo mbeti shtatzënë nga Shpirti i shenjtë. Meqenëse Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë e nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi. Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre». E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit: virgjëresha do të ngjizet e do të lindë një djalë që do të quhet Emanuel, që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne.