Luka 4:1-44
Luka 4:1-44 AL1
Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë ». Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». Dhe Jezui i tha: «Është shkruar: adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij ». Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, sepse është shkruar: do t'i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë dhe: do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur ». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ». Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe. Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin. Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: « Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t'u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t'u shpallur robërve lirinë e për t'u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ». E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj». Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria». Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua. Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet. Në sinagogë gjendej një njeri që ishte i pushtuar nga shpirti i një djalli të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë: «Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar. Të gjithë u mrekulluan e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin». Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina. Jezui u ngrit, doli nga sinagoga e shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte. Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë e filloi t'u shërbente. Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte. Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte e nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti. Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre, por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar». Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë.



