Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 24:13-27

Luka 24:13-27 AL1

Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi. Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur. Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta, por diçka i pengonte ta njihnin. Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur?». Ata u ndalën të trishtuar. Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë». Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë