«Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t'ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».
Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t'i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft».
Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë. Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim».
Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.
Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».