Luka 21:1-9
Luka 21:1-9 AL1
Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar». Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë».

