Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 2:25-38

Luka 2:25-38 AL1

Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të. Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit. I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit, Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu: «Tani, o Zot, lëre shërbëtorin tënd të shkojë në paqe, sipas fjalës sate, se me sytë e mi e pashë shpëtimin tënd që ti e përgatite në sytë e të gjithë popujve, dritë për të ndriçuar kombet e lavdi për popullin tënd, Izraelin». I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin». Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.