Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 19:28-44

Luka 19:28-44 AL1

Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem. Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni. Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”». Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai. Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të». Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. Ata thoshin: « Bekuar qoftë mbreti që vjen në emër të Zotit! Paqe në qiell e lavdi në lartësitë e qiejve!». Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin». Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë