Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 19:12-27

Luka 19:12-27 AL1

Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë