Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 14:1-15

Luka 14:1-15 AL1

Një të shtunë Jezui shkoi për të ngrënë në shtëpinë e njërit prej kryetarëve të farisenjve dhe ata po e vëzhgonin me kujdes. Përballë Jezuit gjendej një njeri që vuante nga hidropizia. Jezui i pyeti mësuesit e ligjit dhe farisenjtë: «A lejohet të shërosh ditën e shtunë, apo jo?». Por ata heshtën. Atëherë Jezui e preku të sëmurin, e shëroi dhe e lejoi të shkonte. Pastaj u tha atyre: «Kush është ai që, po t'i binte fëmija apo kau në pus ditën e shtunë, nuk do ta nxirrte menjëherë?». Ata nuk mundën t'i përgjigjeshin. Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë: «Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “Lërja këtë vend këtij”. Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit. Por kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet». Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha: «Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh. Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve». Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!».