Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t'u shëruar e jo ditën e shtunë». Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t'i dhënë ujë? Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai. Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj? Ajo ngjan me farën e sinapit që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj». Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi». Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit. Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?». Atëherë Jezui i tha: «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini”. Atëherë do të filloni të thoni: “Kemi ngrënë e kemi pirë me ty e ti na ke mësuar nëpër sheshe”. Por ai do t'ju thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi”. Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t'ju kenë hedhur përjashta. Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë. Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit».
Lexo Luka 13
Dëgjoj Luka 13
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Luka 13:10-30
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video