Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». Maria tha:
«Gjithë qenia ime e madhëron Zotin
dhe shpirti im ngazëllehet
për Perëndinë, shpëtimtarin tim,
sepse ai hodhi sytë
mbi përulësinë e shërbëtores së vet
dhe, ja, të gjitha breznitë
do të më quajnë të lume.
Gjëra të mëdha
ka bërë për mua i fuqishmi.
I shenjtë është emri i tij.
Mëshira e tij zgjat nga
breznia në brezni
për ata që e druajnë.
Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij,
hodhi poshtë ata që mburreshin
me mendimet e zemrës së tyre,
rrëzoi të fuqishmit nga froni
dhe lartësoi të përulurit.
Të uriturit
i mbushi me të mira,
ndërsa të pasurit
i nisi duarzbrazët.
E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet,
duke sjellë ndër mend mëshirën,
siç u kishte thënë etërve tanë,
Abrahamit,
dhe pasardhësve të tij përgjithmonë».
Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t'i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç'emër donte t'i vinte. Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç'do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të.
Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu:
«Bekuar qoftë Zoti,
Perëndia i Izraelit,
se erdhi dhe shpengoi popullin e tij.
Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit
në shtëpinë e Davidit,
shërbëtorit të vet,
siç e kishte thënë
me gojën e profetëve të tij të shenjtë
që prej shekujsh;
shpëtim nga armiqtë tanë
dhe nga dora e të gjithëve atyre
që na urrejnë,
për të treguar mëshirë me etërit tanë
e për t'u kujtuar
për besëlidhjen e tij të shenjtë;
për betimin që i bëri Abrahamit,
atit tonë,
për të na lejuar
që, pasi të na çlironte
nga duart e armiqve tanë,
t'i shërbenim pa frikë,
në shenjtëri e në drejtësi para tij
për të gjitha ditët e jetës sonë.
Dhe ti, foshnjë,
do të quhesh profet i të Tejlartit,
se do të ecësh përpara Zotit
për të përgatitur udhët e tij,
për t'i dhënë popullit të tij
njohjen e shpëtimit
me anë të faljes së mëkateve,
falë dhembshurisë së mëshirshme
të Perëndisë tonë,
me të cilën
do të na vijë së larti agimi,
që shndrit mbi ata që rrinë
në errësirë
e në hijen e vdekjes
dhe për të drejtuar
hapat tanë
në udhën e paqes».
Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t'i dëftohej Izraelit.