Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 1:39-56

Luka 1:39-56 AL1

Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». Maria tha: «Gjithë qenia ime e madhëron Zotin dhe shpirti im ngazëllehet për Perëndinë, shpëtimtarin tim, sepse ai hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së vet dhe, ja, të gjitha breznitë do të më quajnë të lume. Gjëra të mëdha ka bërë për mua i fuqishmi. I shenjtë është emri i tij. Mëshira e tij zgjat nga breznia në brezni për ata që e druajnë. Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij, hodhi poshtë ata që mburreshin me mendimet e zemrës së tyre, rrëzoi të fuqishmit nga froni dhe lartësoi të përulurit. Të uriturit i mbushi me të mira, ndërsa të pasurit i nisi duarzbrazët. E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke sjellë ndër mend mëshirën, siç u kishte thënë etërve tanë, Abrahamit, dhe pasardhësve të tij përgjithmonë». Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë