Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 1:1-80

Luka 1:1-80 AL1

Përderisa shumë veta kanë marrë përsipër të rrëfejnë ngjarjet që janë përmbushur ndër ne, siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi, edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t'i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil, me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë. Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë. Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t'u vijë koha». Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. Por kur doli, ai nuk mundi t'u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve». Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty». Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj. Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». Maria tha: «Gjithë qenia ime e madhëron Zotin dhe shpirti im ngazëllehet për Perëndinë, shpëtimtarin tim, sepse ai hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së vet dhe, ja, të gjitha breznitë do të më quajnë të lume. Gjëra të mëdha ka bërë për mua i fuqishmi. I shenjtë është emri i tij. Mëshira e tij zgjat nga breznia në brezni për ata që e druajnë. Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij, hodhi poshtë ata që mburreshin me mendimet e zemrës së tyre, rrëzoi të fuqishmit nga froni dhe lartësoi të përulurit. Të uriturit i mbushi me të mira, ndërsa të pasurit i nisi duarzbrazët. E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke sjellë ndër mend mëshirën, siç u kishte thënë etërve tanë, Abrahamit, dhe pasardhësve të tij përgjithmonë». Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet. Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t'i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç'emër donte t'i vinte. Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç'do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të. Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, se erdhi dhe shpengoi popullin e tij. Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, siç e kishte thënë me gojën e profetëve të tij të shenjtë që prej shekujsh; shpëtim nga armiqtë tanë dhe nga dora e të gjithëve atyre që na urrejnë, për të treguar mëshirë me etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë; për betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë, për të na lejuar që, pasi të na çlironte nga duart e armiqve tanë, t'i shërbenim pa frikë, në shenjtëri e në drejtësi para tij për të gjitha ditët e jetës sonë. Dhe ti, foshnjë, do të quhesh profet i të Tejlartit, se do të ecësh përpara Zotit për të përgatitur udhët e tij, për t'i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve, falë dhembshurisë së mëshirshme të Perëndisë tonë, me të cilën do të na vijë së larti agimi, që shndrit mbi ata që rrinë në errësirë e në hijen e vdekjes dhe për të drejtuar hapat tanë në udhën e paqes». Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t'i dëftohej Izraelit.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Luka 1:1-80

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë