Të veprojë me mëzatin ashtu siç veproi me mëzatin për flinë e mëkatit. Prifti të kryejë shlyerjen për ta, që ata të marrin faljen. Mëzatin ta nxjerrë jashtë fushimit dhe ta djegë siç dogji mëzatin e mëparshëm. Kjo është flija për mëkatin e bashkësisë. Nëse ndonjë nga krerët e popullit gabon e bën pa dashje çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të ZOTIT, Perëndisë së vet, ai bie në faj. Kur ta kuptojë mëkatin që ka bërë, të paraqesë një cjap të patëmetë. T'i vërë dorën mbi kokë cjapit, ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit dhe ta kushtojë si fli mëkati para ZOTIT. Mandej prifti ta ngjyejë gishtin në gjakun e flisë për mëkatin dhe të vërë pak gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit të flive të shkrumbimit. T'ia nxjerrë tërë dhjamin dhe ta shkrumbojë mbi altar, siç veproi me flinë e paqtimit. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit, që ai të marrë faljen. Nëse ndonjëri prej popullit të vendit mëkaton pa dashje e bën çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të ZOTIT, ai bie në faj. Kur ta kuptojë mëkatin që ka bërë, të paraqesë një dhi të patëmetë për mëkatin që ka bërë. T'i vërë dorën mbi kokë flisë për mëkatin e ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit. Mandej, prifti ta ngjyejë gishtin në gjak dhe të vërë gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit. T'ia nxjerrë tërë dhjamin, siç veproi me flinë e paqtimit, e ta shkrumbojë mbi altar si fli erëkëndshme zjarri për ZOTIN. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit, që ai të marrë faljen. Nëse paraqet qengj si fli mëkati, të paraqesë një qengj femër të patëmetë. T'i vërë dorën mbi kokë flisë për mëkatin dhe ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit. Mandej, prifti ta ngjyejë gishtin në gjakun e flisë për mëkatin dhe të vërë gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit. T'ia nxjerrë tërë dhjamin, siç veproi me cjapin e flisë së paqtimit, dhe prifti ta shkrumbojë mbi altar si fli zjarri për ZOTIN. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit që ka bërë dhe ai do të marrë faljen».
Lexo Levitiku 4
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Levitiku 4:20-35
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video