Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 19:1-18

Levitiku 19:1-18 AL1

ZOTI i tha Moisiut: «Fol me mbarë bashkësinë e izraelitëve e thuaju: jini të shenjtë, se unë, ZOTI, Perëndia juaj, jam i shenjtë. Secili prej jush ta nderojë të ëmën e të atin. Mbajini të shtunat e mia. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Mos u ktheni tek idhujt e rremë e mos bëni për vete shtatore idhujsh. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Kur t'i kushtoni ZOTIT fli paqtimi, kushtoni siç duhet, që të pranoheni prej tij. Flija të hahet ditën që është kushtuar ose të nesërmen, por ç'të mbetet për të pasnesërmen, të digjet në zjarr. Nëse hahet të pasnesërmen, është mish i papastër dhe nuk do të pranohet. Kush ha, të mbajë mbi vete fajin, sepse ka përdhosur gjënë e shenjtë të ZOTIT. Ai njeri të zhbihet prej popullit të vet. Kur të korrni prodhimet e tokës suaj, mos e korrni deri në skaj të arës. Kallinjtë që kanë rënë, mos i mblidhni. Mos kalo sërish nëpër vresht për të mbledhur vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri për të varfrin e për të huajin. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Mos vidhni e mos gënjeni. Mos e mashtroni njëri-tjetrin. Mos bëni betim të rremë në emrin tim, duke përdhosur kështu emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam ZOTI. Mos përfito prej të afërtit e mos i rrëmbe gjë. Fitimin e mëditësit mos e mbaj deri në mëngjes. Mos e mallko të shurdhrin e mos i vër pengesa të verbrit, por druaje Perëndinë tënd. Unë jam ZOTI. Mos bëni padrejtësi nëpër gjyqe. Mos mbaj anën e të varfrit e mos e përkrah të fortin, por gjykoje të afërtin me drejtësi. Mos përhap shpifje nëpër popull e mos merr pjesë në gjakderdhje kundër të afërtit tënd. Unë jam ZOTI. Mos e urre në zemër vëllanë tënd, por qortoje të afërtin, që të mos mbash barrën e mëkatit të tij. Mos merr hak e mos mbaj mëri me bijtë e popullit tënd. Duaje të afërtin si veten. Unë jam ZOTI.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë