Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Vajtimet 1:12-22

Vajtimet 1:12-22 AL1

Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?! Vëreni e shikoni, nëse ka brengë si brenga ime, që më ra mua, që ma lëshoi ZOTI, kur u ndez zemërimi i tij. Ma lëshoi zjarrin prej së larti, e ngërtheu në eshtrat e mia. Më hodhi rrjetën këmbëve, më ktheu përmbys. Më bëri të shkretë, leckë të përmuajshmesh përngaherë. Në zgjedhë m'u lidhën shkeljet, u thurën me dorën e tij. Më rëndojnë në qafë, më është mekur fuqia. Zoti më la në dorën e tyre e nuk mund t'u bëj ballë. Sojin e trimave të mi e e përmbysi Zoti mes meje. Ai më caktoi një kohë për të m'i shtypur të rinjtë. Në tork e shtrydhi Zoti virgjëreshën, bijën e Judës. Ajo është arsyeja pse qaj. Sytë më derdhin lot, se m'u largua ngushëlluesi, ai që ma përtërin shpirtin. Bijtë e mi u shkretuan, se armiku ngadhënjeu. Shtrin duart Sioni, por nuk ka ngushëllues për të. ZOTI dha urdhër për Jakobin të rrethohej me armiq. Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre. Cenova fjalën e tij, prandaj i drejtë është ZOTI. Dëgjomëni, o popuj të gjithë, shikojeni brengën time! Vashëzat e djelmoshat e mi shkuan në robëri. Kërkova dashnorët e mi, por më mashtruan. Priftërinjtë e pleqtë e mi në qytet u vranë, tek lypnin të hanin për të përtërirë frymën. Rënkimin tim shikoje, o ZOT! M'u pështjelluan zorrët, më dridhet zemra në kraharor, se u tregova kryeneç. Përjashta është shpata shfarosëse, në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja. Shëmimin tim e dëgjojnë, por s'gjendet ngushëllues për mua. Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim, u gëzuan, se ti e ke shkaktuar. Sille ditën që pate shpallur e do të bëhen si unë. Të dalë para teje tërë ligësia e tyre, vepro me ta siç veprove me mua, për shkak të tërë shkeljeve të mia, se të shumta janë rënkimet e mia e po më lëshon zemra.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë