Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Vajtimet 1:1-22

Vajtimet 1:1-22 AL1

Ah, sa e vetmuar mbeti qyteza dikur shumë e populluar! Mbeti e ve madhështorja ndër kombe, princesha e krahinave u nënshtrua. Bërtet e qan gjatë natës me lot për faqe, nuk gjendet asnjë ngushëllues ndër të gjithë dashnorët e saj. E tradhtuan të gjithë miqtë e iu bënë armiq. U shpërngul Juda me pikëllim e skllavërim të rëndë. Zuri vend ndër kombe, por nuk gjen prehje. Të gjithë përndjekësit e kanë shkapërcyer nëpër ngushtica. Duke vajtuar janë udhët e Sionit, se nuk ka kush vjen për festa. Të gjitha portat i janë rrënuar, priftërinjtë i rënkojnë, vashat janë në zi, se i ra fat i hidhur. Hakërruesit e saj u bënë kryeprijës, armiqtë e saj janë të sigurt, se ZOTI e pikëlloi prej shkeljeve të shumta, fëmijët iu bënë robër para armikut. Vezullimi iku i tëri prej bijës së Sionit. Prijësit i janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë. Ikin pa fuqi prej përndjekësve. Zë e kujton Jerusalemi, në ditët e pikëllimit e të përendjes, të gjitha begatitë e qëmoçme. Kur popullsia i ra në dorë armikut, pa i dalë zot askush, gërgasësit e panë e u zgërdhinë me shuarjen e tij. Hidhur mëkatoi Jerusalemi, prandaj u bë ndyrësirë. E përçmojnë ata që e nderonin, se ia panë lakuriqësinë. Edhe ai vetë rënkon e spërdridhet. Tërë papastërti e bëri tunikën pa u kujtuar për të ardhmen. U plandos me tmerr pa asnjë ngushëllim. «Shikoje, o ZOT, pikëllimin tim, se armiku im u madhërua». Ja, gërgasësi e ka shtrirë dorën mbi të gjitha begatitë e tij. Pa kombet tek hynin në shenjtërore, ata që pate urdhëruar të mos hynin në bashkësinë tënde. Krejt popullsia e tij rënkon duke lypur bukë. Japin gjënë më të shtrenjtë për ushqim, që t'u kthehet fryma. Shiko, o ZOT, e vërej sa jam poshtëruar. Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?! Vëreni e shikoni, nëse ka brengë si brenga ime, që më ra mua, që ma lëshoi ZOTI, kur u ndez zemërimi i tij. Ma lëshoi zjarrin prej së larti, e ngërtheu në eshtrat e mia. Më hodhi rrjetën këmbëve, më ktheu përmbys. Më bëri të shkretë, leckë të përmuajshmesh përngaherë. Në zgjedhë m'u lidhën shkeljet, u thurën me dorën e tij. Më rëndojnë në qafë, më është mekur fuqia. Zoti më la në dorën e tyre e nuk mund t'u bëj ballë. Sojin e trimave të mi e e përmbysi Zoti mes meje. Ai më caktoi një kohë për të m'i shtypur të rinjtë. Në tork e shtrydhi Zoti virgjëreshën, bijën e Judës. Ajo është arsyeja pse qaj. Sytë më derdhin lot, se m'u largua ngushëlluesi, ai që ma përtërin shpirtin. Bijtë e mi u shkretuan, se armiku ngadhënjeu. Shtrin duart Sioni, por nuk ka ngushëllues për të. ZOTI dha urdhër për Jakobin të rrethohej me armiq. Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre. Cenova fjalën e tij, prandaj i drejtë është ZOTI. Dëgjomëni, o popuj të gjithë, shikojeni brengën time! Vashëzat e djelmoshat e mi shkuan në robëri. Kërkova dashnorët e mi, por më mashtruan. Priftërinjtë e pleqtë e mi në qytet u vranë, tek lypnin të hanin për të përtërirë frymën. Rënkimin tim shikoje, o ZOT! M'u pështjelluan zorrët, më dridhet zemra në kraharor, se u tregova kryeneç. Përjashta është shpata shfarosëse, në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja. Shëmimin tim e dëgjojnë, por s'gjendet ngushëllues për mua. Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim, u gëzuan, se ti e ke shkaktuar. Sille ditën që pate shpallur e do të bëhen si unë. Të dalë para teje tërë ligësia e tyre, vepro me ta siç veprove me mua, për shkak të tërë shkeljeve të mia, se të shumta janë rënkimet e mia e po më lëshon zemra.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë