Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 6:8-21

Jozuehu 6:8-21 AL1

Pasi Jozuehu i kishte dhënë udhëzimet popullit, shtatë priftërinjtë me shtatë boritë prej briri dashi dolën përpara ZOTIT e filluan t'u binin borive. Nga pas i ndiqte arka e besëlidhjes së ZOTIT. Luftëtarët e armatosur ecnin përpara priftërinjve, që u binin borive, ndërsa praparoja vinte pas arkës. Teksa ecnin, jehonte tingulli i borive. Ndërsa popullit Jozuehu i dha këtë urdhër: «Mos bërtitni e mos t'ju dëgjohet zëri. Mos nxirrni asnjë fjalë nga goja, deri ditën që do t'ju them unë të bërtitni. Vetëm atëherë do të bërtitni». Kështu, arka e ZOTIT u soll një herë rreth qytetit. Pastaj izraelitët u kthyen në fushim për të kaluar natën. Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe priftërinjtë morën arkën e ZOTIT. Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri dashi, ecnin përpara arkës së ZOTIT e u binin borive. Luftëtarët e armatosur ecnin përpara tyre, ndërsa praparoja ecte pas arkës së ZOTIT. Gjatë marshimit, priftërinjtë u binin borive. Edhe ditën e dytë izraelitët marshuan një herë përreth qytetit dhe pastaj u kthyen në fushim. Kështu bënë për gjashtë ditë. Ditën e shtatë u ngritën herët në mëngjes dhe marshuan shtatë herë përreth qytetit në të njëjtën mënyrë. Vetëm atë ditë marshuan shtatë herë përreth qytetit. Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozuehu i tha popullit: «Lëshoni kushtrimin! ZOTI jua ka dhënë juve qytetin. Qyteti e gjithçka brenda tij është e mallkuar e do të shfaroset për nder të ZOTIT. Vetëm lavirja Rahabë dhe të gjithë ata që do të gjenden me të në shtëpi do të mbeten gjallë, sepse ajo fshehu lajmëtarët që patëm dërguar. Por, ruhuni se mos merrni ndonjë nga sendet e mallkuara, se po t'i merrni, do ta sillni mallkimin e shfarosjes brenda fushimit të Izraelit e do t'ju zërë fatkeqësia. I gjithë argjendi, ari, sendet prej bronzi e prej hekuri do të shenjtërohen për ZOTIN e do të hyjnë në thesarin e ZOTIT». Atëherë populli lëshoi kushtrimin dhe boritë jehuan. Kur u dëgjua tingulli i borisë, populli lëshoi një britmë aq të madhe, saqë muret e qytetit u shembën. Të gjithë u vërsulën nga çdo anë drejt qytetit dhe e pushtuan. Izraelitët shfarosën me shpatë gjithçka që gjendej në qytet, burra, gra, të rinj, pleq, qe, dele e gomarë.