Jozuehu i mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Shekem dhe i thirri pleqtë e Izraelit, prijësit, gjykatësit dhe krerët të paraqiteshin para Perëndisë. Atëherë Jozuehu i tha mbarë popullit: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Në kohët e shkuara paraardhësit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, jetonin përtej lumit të Eufratit dhe u shërbenin perëndive të tjerë. Por unë e mora Abrahamin nga përtej lumit dhe i priva nëpër tërë vendin e Kanaanit. Ia shtova pasardhësit dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Esaun. Esaut i dhashë për pronë malin e Seirit, ndërsa Jakobi dhe bijtë e tij shkuan në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun e Aronin, godita Egjiptin me mrekullitë që bëra atje dhe ju nxora prej andej. Kur dolën nga Egjipti, etërit tuaj mbërritën te deti i Kuq, por egjiptianët i ndoqën deri atje me karroca dhe me kuaj. Ata i thirrën për ndihmë ZOTIT dhe ai vuri terrin midis tyre dhe egjiptianëve. Pastaj hodhi mbi egjiptianët detin dhe deti i mbuloi. Ju e patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Mandej jetuat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Pastaj ju solla në tokën e amoritëve, që banonin përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve dhe i shfarosa para jush. Tokën e tyre e morët ju. Edhe Balaku, biri i Ciporit dhe mbreti i Moabit, doli të luftojë kundër Izraelit. Ai thirri Balaamin, birin e Beorit, që t'ju mallkonte. Por unë nuk desha ta dëgjoja Balaamin, prandaj ai ju bekoi dhe unë ju shpëtova prej dorës së tij. Si e kaluat Jordanin, mbërritët në Jeriko. Banorët e Jerikosë, amoritët, perizitët, kananitët, hititët, girgashitët, hivitët dhe jebusitët, luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve. Lëshova grerëzat para jush dhe me to dëbova nga ju dy mbretërit e amoritëve pa shpatën apo harkun tuaj. Ju dhashë një tokë që nuk e kishit punuar ju dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar ju, por ju banoni në to. Vreshtat dhe ullinjtë nuk i mbollët ju, por po hani prej tyre”.