Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 13:15-33

Jozuehu 13:15-33 AL1

Toka që Moisiu i dha fisit të Rubenit e pasardhësve të tij, sipas klaneve fillonte në Aroer, në bregun e përroit të Arnonit, përfshinte qytetin që ndodhet në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, Heshbonin e të gjitha qytetet që ndodheshin në rrafshnaltë, Dibonin, Bamot Baalin, Bet Baal Meonin, Jahacin, Kedmotin, Mefatin, Kirjataimin, Sibmahun, Ceret Shaharin, që ndodhet në kodrat përmbi luginë, Betpeorin, shpatet e Pisgahut, Bet Jeshimotin e të gjitha qytetet e mbretërisë së Sihonit, mbretit të amoritëve, që kishte mbretëruar në Heshbon, e që Moisiu e kishte mposhtur, bashkë me princat e Midianit, Eviut, Rekemit, Curit, Hurit e Rebës, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë tokë. Izraelitët kishin vrarë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit, shortarin. Kufiri i pasardhësve të Rubenit ishte lumi i Jordanit. Kjo është prona që morën si trashëgimi pasardhësit e Rubenit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre. Toka që Moisiu i dha fisit të Gadit e pasardhësve të tij, sipas klaneve, fillonte në Jazer, përfshinte të gjitha qytetet e Gileadit, gjysmën e tokës së amonitëve deri në Aroer, përballë Rabahut, shtrihej nga Heshboni në Ramah Micpah, në Betonim e nga Mahanaimi deri në kufijtë e Lo Debarit. Përfshinte edhe luginën ku gjenden Bet Harami, Bet Nimrahu, Sukoti, Cafoni dhe pjesa e mbetur të mbretërisë së Sihonit, mbretit të Heshbonit. Toka e tyre ka për kufi Jordanin e shkon deri në bregun e detit të Kineretit, përtej Jordanit, në bregun lindor. Kjo është trashëgimia e pasardhësve të Gadit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre. Toka që Moisiu i dha gjysmës së fisit të Manaseut, pra, gjysmës së pasardhësve të Manaseut, sipas klaneve përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit dhe të gjitha fshatrat e Jairit. Gjithsej gjashtëdhjetë qytete të Bashanit. Trojet përfshinin edhe gjysmën e Gileadit, Ashtarotin, Edrejin, qytetet e mbretërisë së Ogut në Bashan, që iu dhanë njërës pjesë të pasardhësve të Makirit, birit të Manaseut, sipas klaneve. Këto janë pronat që ndau Moisiu në stepat e Moabit, në bregun lindor të Jordanit, kundruall Jerikosë. Moisiu nuk i dha trashëgimi fisit të Levit, sepse trashëgimia e tyre është ZOTI, Perëndia i Izraelit, siç u kishte thënë vetë Zoti.