Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Joeli 2:1-17

Joeli 2:1-17 AL1

«Bjerini trumbetës në Sion, lëshoni kushtrim në malin tim të shenjtë. Të dridhen mbarë banorët e vendit, se erdhi dita e ZOTIT, afër është ajo. Ditë e errët dhe e zezë, ditë e vrenjtur e plot terr, përmbi male seç sterron. Ja, një popull i shumtë e i fortë që kurrë s'është parë në kohët e lashta e as do të shihet brez pas brezi. Zjarr përpirës i paraprin, flakë shkrumbuese i shkon pas, si kopshti i Edenit toka para tij, por humbëtirë të shkretë lë pas. Askush nuk i shpëton dot. Duken si kuaj, vërsulen si kalorës. Kapërcejnë kreshta malesh me ushtimë karrocash ushtrie, me kërcitje flakësh zjarri kur përpin kashtën e thatë, si një popull i fuqishëm që në luftë rreshtohet rresht. Para tij popujt dridhen, gjithë fytyrat zverdhen krejt. Porsi trima ata sulen, si luftëtarë hidhen mbi mure. Secili mban rreshtin e vet e nuk ngatërron rrugë. Njëri-tjetrin nuk e shtyjnë, çdo burrë merr shtegun e vet e s'ka armë që i zmbraps. Vërshojnë qytetit, turren mureve, shtëpitë zaptojnë, si kusarë nga dritaret hyjnë. Para tij trandet toka, qiejt luajnë vendit. Dielli e hëna nxihen krejt, yjet humbasin shkëlqimin e tyre. ZOTI e lëshoi kushtrimin në krye të ushtrisë së tij. Gjerë e gjatë shtrihet fushimi, sa i fuqishëm ai që zbaton fjalën e tij. E madhërishme dita e ZOTIT, e tmerrshme shumë është ajo. Ballë kush mund t'i bëjë? Ndaj, tani, kumton ZOTI: kthehuni tek unë me gjithë zemër, me agjërime, vaj e zi. Shqyeni zemrat e jo rrobat, kthehuni te ZOTI, Perëndia juaj. I mëshirshëm e i dhembshur është ai, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, i vjen keq për fatkeqësitë. Kush e di? Ndoshta ndërron mendje, i vjen keq e lë pas ndonjë bekim, fli drithi e stërpikjeje, për ZOTIN, Perëndinë tuaj. Bjerini trumbetës në Sion, shpallni agjërim, thërrisni kuvend, mblidhni popullin, shenjtëroni bashkësinë, mblidhni pleq e fëmijë, foshnjat që thithin gji. Daltë dhëndri prej dhomës, edhe nusja prej odës së nusërisë. Mes portikut dhe altarit, të vajtojnë priftërinjtë, shërbëtorët e ZOTIT: “Ki mëshirë, o ZOT, për popullin tënd! Pronën tënde mos e lër të turpërohet, që kombet mos të tallen me të. Pse mes tyre të thuhet: ku është Perëndia i tyre?”.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë