Fjala e ZOTIT drejtuar Joelit, birit të Petuelit.
«Dëgjojeni këtë, o pleq,
vërini vesh, o banorë të mbarë tokës.
A ka ndodhur diçka e tillë në kohën tuaj
a në kohën e etërve tuaj?
Tregojuani bijve tuaj,
bijtë tuaj fëmijëve të tyre
e ata breznisë së ardhshme.
Çfarë la vemja,
e hëngri karkaleci.
Çfarë la karkaleci,
e hëngri krimbi.
Çfarë la krimbi,
e hëngri bulkthi.
Zgjohuni, o të dehur, e vajtoni,
vini kujën, ju pijanecët e verës,
se ju hoq mushti prej gojës.
Një komb e pushtoi vendin tim,
i fuqishëm e i panumërt është ai,
me dhëmbë luani,
e dhëmballë luaneshe.
Vreshtin ma shkretoi,
fiqtë m'i cungoi,
i zhveshi krejt, i flakëroi,
degët u zbardhën.
Lebetit porsi vasha e veshur me grathore
që dhëndrin e saj vajton.
U zhduk prej shtëpisë së ZOTIT
kushti i drithit e i stërpikjes,
ndaj vajtojnë priftërinjtë,
shërbëtorët e ZOTIT.
Arat u rrënuan e toka vajton,
se drithi mbaroi,
vera shteroi,
vaji mungon.
Turp për ju, o bujq,
klithni, o vreshtarë,
për grurin dhe elbin,
se morën fund prodhimet e fushës.
Hardhia u fishk,
fiku u vyshk.
Shega, palma edhe molla,
tërë pemët e fushës, u thanë,
ndaj iu shua gëzimi njerëzisë.
Vishuni me grathore e vajtoni, o priftërinj,
klithni, o shërbëtorë të altarit.
Shkoni e kaloni natën veshur me grathore,
o shërbëtorë të Perëndisë tim,
se mungon në shtëpinë e Perëndisë tuaj
kushti i drithit e i stërpikjes.
Shpallni agjërim,
thërrisni kuvend,
mblidhini pleqtë
e mbarë banorët e tokës,
në shtëpinë e ZOTIT, Perëndisë tuaj,
e klithini ZOTIT.
Vaj për atë ditë,
ditën e ZOTIT që afron,
se si mynxyrë prej të Pushteshmit vjen.
A s'u zhduk ushqimi
prej syve tanë,
gazi e hareja
prej shtëpisë së Perëndisë tonë?
Fara e mbjellë u kalb.
Drithnikët u rrënuan,
tëmotjet u shkretuan,
se gruri mori fund.
Sa lëngojnë kafshët!
Sorollaten kopetë e gjedhit,
se kullota nuk ka.
Edhe kopetë e dhenve
vuajnë njësoj.
O ZOT, ty të thërras,
se zjarri përpiu kullotat e stepës,
flaka shkrumboi pemët e fushës.
Edhe egërsirat gulçojnë për ty,
se u thanë currilat e ujit,
zjarri përpiu kullotat e stepës».