Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 42:1-17

Jobi 42:1-17 AL1

Jobi iu përgjigj ZOTIT e i tha: «E di se gjithçka mundesh e asnjë shestim s'e ke të pamundur. Kush t'i mbulon synimet me padije? Prandaj fola pa kuptuar, se nuk i njoh mrekullitë. Por ti më dëgjo e unë do të flas. Unë do të të pyes e ti më mëso. Unë të njihja veç me të dëgjuar, por tani të panë sytë e mi, prandaj më vjen keq e pendohem në pluhur e hi». Pasi i tha Jobit këto fjalë, ZOTI i foli Elifaz Temanitit: «Kundër teje është ndezur zemërimi im e kundër dy shokëve të tu, sepse nuk folët drejtë për mua, si shërbëtori im Jobi. Tani merrni shtatë buaj e shtatë desh e shkoni te shërbëtori im Jobi për t'i kushtuar si fli shkrumbimi për vete. Atëherë Jobi, shërbëtori im, do të lutet për ju dhe unë do t'ia dëgjoj lutjen e nuk do t'ju ndëshkoj për marrëzinë tuaj, sepse nuk folët drejtë për mua, si shërbëtori im Jobi». Atëherë Elifaz Temaniti, Bildad Shuhiti e Cofar Namatiti shkuan e bënë siç u tha ZOTI dhe ZOTI ia dëgjoi lutjen Jobit. Kur Jobi u lut për miqtë e vet, ZOTI ia ktheu begatinë dyfish më shumë se përpara. Atëherë erdhën tek ai të gjithë vëllezërit e tij, të gjitha motrat e të gjithë ata që e kishin njohur më parë. Hëngrën bukë me të në shtëpinë e tij, e forcuan dhe e ngushëlluan për të gjithë pikëllimin që i kishte çuar ZOTI. Pastaj secili i dhuroi nga një sasi parash e nga një unazë ari. ZOTI e bekoi jetën e pastajme të Jobit më shumë se të mëparshmen. Ai mori në zotërim katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe e një mijë gomarica. Pati edhe shtatë djem e tri vajza. Të parën e quajti Jemima, të dytën Kezia e të tretën Kerenhapuka. Mbi mbarë dheun nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit dhe i ati ua la trashëgiminë atyre dhe vëllezërve të tyre. Pastaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe pa bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. Jobi vdiq i moshuar e i nginjur me ditë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë