Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 3:1-26

Jobi 3:1-26 AL1

Pas këtyre ngjarjeve Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën kur kishte lindur. Jobi u përgjigj e tha: «U shoftë dita kur u linda e nata kur u tha: “U ngjiz një djalë”. Terr u bëftë ajo ditë! E harroftë Perëndia, që rri lart, e drita mos ndrittë mbi të! E përlaftë terri e pisa, e zaptoftë reja, e tmerroftë muzgu! Atë natë e përpiftë errësira, mos u njehtë ndër ditët e vitit e mos hyftë në numrin e muajve! Shterpë mbettë ajo natë e mos pastë galdim! E nëmtë kush mallkon ditën e kush guxon të ngucë Leviatanin! U terratisshin yjet e agut të saj, prittë dritën e mos i ardhtë e as agun mos e paftë, se s'm'ia mbylli barkun nënës, e brengën s'ma hoqi sysh. Pse s'vdiqa që në bark e s'dhashë shpirt sa linda? Pse më pritën dy gjunjë e më mëkuan dy gjinj? Tani do të prehesha i qetë, do të flija e do të pushoja me mbretër e këshilltarë të dheut, që rindërtojnë për vete rrënoja, apo me princa që kanë ar, që i kanë shtëpitë plot me argjend. Ose, si i dështuari i zhdukur, s'do të isha më, si foshnjat që s'e shohin dritën. Atje të paudhët i lënë trazirat, atje të mekurit pushojnë. Të burgosurit pushojnë tok, pa e dëgjuar zërin e ngasësit. Atje janë i vogli e i madhi, skllavi është i lirë nga pronari. Pse të dalë në dritë një i ngratë e të jetojnë shpirtvrarët, që vdekjen dëshirojnë, por s'e gjejnë, edhe pse e kërkojnë më shumë se thesarin, dhe fort gëzohen e galdojnë kur gjejnë varrin? Po njeriu, që i ka udhët pa krye, se ia ka mbyllur Perëndia? Ja, për bukë kam psherëtimat e britmat e mia vërshojnë si ujë. Më zuri çfarë më tmerronte, çfarë më lemeriste më pllakosi. As kam qetësi, as prehje, as pushim, por erdhi pështjellimi».