Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 2:1-13

Jobi 2:1-13 AL1

Një ditë bijtë e Perëndisë shkuan për t'u paraqitur para ZOTIT e bashkë me ta shkoi edhe Satani, për t'u paraqitur para ZOTIT. ZOTI i tha Satanit: «Nga po vjen?». Satani iu përgjigj: «Nga toka. Iu solla rrotull e i rashë kryq e tërthor». Atëherë ZOTI i tha: «A të ka rënë në sy shërbëtori im, Jobi? Askush mbi tokë nuk është si ai, njeri i përkryer e i drejtë, që e druan Perëndinë dhe i kthen shpinën të keqes. Ende është i përkryer, edhe pse ti më shtyve kundër tij, për ta rroposur më kot». Satani iu përgjigj: «Lëkurë për lëkurë! Njeriu jep gjithçka për të shpëtuar jetën. Vër dorë mbi kockat dhe mishin e tij, në s'ka për të të mallkuar haptas». ZOTI i tha Satanit: «Ja, po ta lë në dorë, por jetën kurseja!». Atëherë Satani u largua nga ZOTI. Satani e goditi Jobin me çibanë të këqij që nga shputat e këmbëve deri në majë të kresë. Jobi mori një copë tjegull për t'u kruar dhe u ul në mes të hirit. Atëherë e shoqja i tha: «Prapë mbetesh i patëmetë? Mallko Perëndinë e vdis!». Por ai iu përgjigj: «Ti po flet siç flet një e marrë. Të mirën e pranojmë nga Perëndia, po të keqen, mos ta pranojmë?». Me të gjitha këto, Jobi nuk mëkatoi me buzët e veta. Tre miq të Jobit dëgjuan për tërë këtë kob që i kishte rënë dhe erdhën secili nga vendi i vet: Elifaz Temaniti, Bildad Shuhiti e Cofar Namatiti. U mblodhën për të shkuar tek ai së bashku, për t'i ndenjur pranë e për ta ngushëlluar. E panë prej së largu, por nuk e njohën. Atëherë qanë me të madhe dhe secili i shqeu petkat e veta. Hodhën pluhur përpjetë e u ra mbi kokë. Pastaj u ulën përtokë bashkë me të për shtatë ditë e shtatë net e nuk i thanë asnjë fjalë, sepse e panë sa e madhe ishte dhimbja e tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë