Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 4:27-42

Gjoni 4:27-42 AL1

Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?». Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». Kështu ata dolën nga qyteti e shkuan te Jezui. Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre». Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë