Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 4:13-26

Gjoni 4:13-26 AL1

Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem». Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas».