Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka e tjetri te këmbët. Ata i thanë: «Grua, përse po qan?». Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë». Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte më këmbë, por nuk e dinte se ishte ai. Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?». Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr». Jezui i tha: «Mari!». Ajo u kthye e i tha në hebraisht: «Rabbuni!» që do të thotë mësues. Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi e thuaju se unë po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, Perëndia im e Perëndia juaj».
Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.
Në mbrëmjen e po asaj dite, të parën e javës, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin.
Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju». Pasi tha këto, hukati mbi ta e u tha: «Merrni Shpirtin e shenjtë! Atyre që ua falni mëkatet, do t'u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t'u falen».
Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui. Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin». Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj».
Pas tetë ditësh, dishepujt ishin përsëri brenda në dhomë dhe me ta ndodhej edhe Thomai. Atëherë erdhi Jezui, megjithëse dyert ishin mbyllur, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia, shtrije dorën dhe vëre te brinja ime. Dhe mos dysho, por beso!». Thomai u përgjigj: «Zoti im e Perëndia im!». Jezui i tha: «Besove, sepse më pe. Lum ata që besojnë pa parë!».