Në atë kohë dergjej i sëmurë Lazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i motrës së saj, Martës. Maria, motra e Lazarit të sëmurë, ishte ajo që leu Zotin me mirrë e ia fshiu këmbët me flokët e saj. Atëherë motrat i çuan fjalë Jezuit: «Zot, miku yt i dashur është sëmurë». Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë».
Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë e Lazarin. Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte e pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!». Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë e ti do që të shkosh përsëri atje?». Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. Por nëse dikush ecën natën, pengohet, se në të nuk ka dritë». Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj». Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë». Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm. Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur. Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!». Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!».
Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë në varr. Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta e Maria, që t'i ngushëllonin për vdekjen e vëllait. Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t'i kërkosh». Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet». Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit». Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?». Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë».