Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 10:22-39

Gjoni 10:22-39 AL1

Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. Unë dhe Ati jemi një». Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë. Jezui u tha: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?». Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, por për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi». Jezui u tha: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj: unë thashë: jeni perëndi. Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi nuk mund të hidhet poshtë. Atëherë, si mund t'i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë “fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë “jam Biri i Perëndisë”? Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni e të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin». Përsëri donin ta kapnin, por Jezui u iku nga duart.