Fjala që ZOTI i drejtoi Jeremisë e i tha: «Ndalu para portës së tempullit të ZOTIT dhe shpall aty këtë fjalë e thuaj: dëgjojeni fjalën e ZOTIT, të gjithë ju judenj, që vini te kjo portë për të adhuruar ZOTIN. Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ndreqni sjelljen tuaj e veprat tuaja dhe do t'ju lejoj të banoni në këtë vend. Mos u zini besë fjalëve të rreme që thonë: “Ky është tempulli i ZOTIT, tempulli i ZOTIT, tempulli i ZOTIT”.
Nëse me të vërtetë do të ndreqni sjelljen tuaj dhe veprimet tuaja, nëse do të zbatoni drejtësinë me njëri-tjetrin, nëse nuk do ta shtypni ardhacakun, jetimin e të venë, nëse nuk do të derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend e nëse nuk do të rendni pas perëndive të tjerë për të zezën tuaj, unë do t'ju lejoj të banoni në këtë vend, në tokën që u dhashë etërve tuaj nga amshimi në amshim.
Por, ja, ju u zini besë fjalëve të rreme e të pavlera. Mos vallë doni të vidhni, të vritni, të shkelni kurorën, të betoheni në rrenë, t'i kushtoni temjan Baalit e të rendni pas perëndive të tjerë që nuk i njihnit? Pastaj vini e qëndroni para meje në këtë tempull, në të cilin thirret emri im, e thoni: “Jemi të lirë”, që të mund të bëni gjithë këto ndyrësira. Mos vallë ky tempull, në të cilin thirret emri im, u bë shpellë vjedhësish në sytë tuaj? Ja, e pashë vetë, kumton ZOTI. Shkoni, pra, te vendi im në Shiloh, ku e vura emrin tim të banonte në fillim, dhe shikoni çfarë bëra me të, për shkak të ligësisë së popullit tim, Izraelit. Tani, për shkak të të gjitha këtyre bëmave, kumton ZOTI, megjithëse fola me ju që në fillim, fola e nuk më dëgjuat, ju thirra e nuk m'u përgjigjët, do të veproj me këtë tempull, në të cilin thirret emri im e të cilit ju i zini besë, e me këtë vend, që jua kisha dhënë juve dhe etërve tuaj, siç veprova me Shilohun. Do t'ju dëboj nga prania ime, siç dëbova të gjithë vëllezërit tuaj, mbarë farën e Efraimit».