Fjala që ZOTI i drejtoi Jeremisë e i tha: «Ndalu para portës së tempullit të ZOTIT dhe shpall aty këtë fjalë e thuaj: dëgjojeni fjalën e ZOTIT, të gjithë ju judenj, që vini te kjo portë për të adhuruar ZOTIN. Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ndreqni sjelljen tuaj e veprat tuaja dhe do t'ju lejoj të banoni në këtë vend. Mos u zini besë fjalëve të rreme që thonë: “Ky është tempulli i ZOTIT, tempulli i ZOTIT, tempulli i ZOTIT”. Nëse me të vërtetë do të ndreqni sjelljen tuaj dhe veprimet tuaja, nëse do të zbatoni drejtësinë me njëri-tjetrin, nëse nuk do ta shtypni ardhacakun, jetimin e të venë, nëse nuk do të derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend e nëse nuk do të rendni pas perëndive të tjerë për të zezën tuaj, unë do t'ju lejoj të banoni në këtë vend, në tokën që u dhashë etërve tuaj nga amshimi në amshim. Por, ja, ju u zini besë fjalëve të rreme e të pavlera. Mos vallë doni të vidhni, të vritni, të shkelni kurorën, të betoheni në rrenë, t'i kushtoni temjan Baalit e të rendni pas perëndive të tjerë që nuk i njihnit? Pastaj vini e qëndroni para meje në këtë tempull, në të cilin thirret emri im, e thoni: “Jemi të lirë”, që të mund të bëni gjithë këto ndyrësira. Mos vallë ky tempull, në të cilin thirret emri im, u bë shpellë vjedhësish në sytë tuaj? Ja, e pashë vetë, kumton ZOTI.
Lexo Jeremia 7
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Jeremia 7:1-11
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video