Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën Sedekinë në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, në tokën e Hamatit, ku ai i shpalli vendimin. Mbreti i Babilonisë ia theri bijtë Sedekisë para syve. Ai theri edhe të gjithë prijësit e Judës në Riblah. Sedekisë i nxori sytë dhe e lidhi me vargonj. Mbreti i Babilonisë e mori në Babiloni dhe e mbajti në burg deri ditën kur vdiq.
Në ditën e dhjetë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit, në Babiloni, Nebuzaradani, kryerojtari në shërbim të mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. Ai dogji tempullin e ZOTIT, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. Mbarë ushtria e kaldenjve, bashkë me kryerojtarin, shkatërruan muret e Jerusalemit. Vegjëlinë dhe pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë, dhe zyrtarët e tjerë i shpërnguli në mërgim Nebuzaradani, kryerojtari. Nebuzaradani, kryerojtari, la disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi.
Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e ZOTIT dhe tërë bronzin e çuan në Babiloni. Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kovat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat. Kryerojtari mori edhe govatat, mangallët, stërpikëset, kupëzat, shandanët, kusitë e gotat, të artat e të argjendtat. Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve të dy shtyllave të detit të vetëm, të dymbëdhjetë qeve prej bronzi, që ishin nën të, e të mbartësve që i kishte bërë mbreti Solomon për tempullin e ZOTIT, nuk mund të llogaritej. Njëra prej shtyllave ishte e lartë nëntë metra dhe duhej një fill gjashtë metra i gjatë për t'i matur gjerësinë. Trashësinë e kishte katër gisht, se brenda ishte golle. Sipër kishte një kokë prej bronzi dhe lartësia e kokës ishte dy metra e gjysmë. Përreth kokës kishte një rrjetë e disa shegë, gjithçka prej bronzi. Njësoj ishte edhe shtylla tjetër, bashkë me shegët. Shegët ishin nëntëdhjetë e gjashtë. Shegët përreth rrjetës ishin gjithsej njëqind.
Kryerojtari mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e rendit të dytë, Sofoninë, dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, shtatë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në mes të qytetit. Nebuzaradani, kryerojtari, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet.