Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 44:1-14

Jeremia 44:1-14 AL1

Fjala iu drejtua Jeremisë për të gjithë judenjtë, që banonin në dheun e Egjiptit, në Migdol, në Tahpanhes, në Memfis e në dheun e Patrosit, e i tha: «Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ju e patë tërë zezonën që çova kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qyteteve të Judës. Ja, sot janë të shkretuara e pa banorë, për shkak të ligësisë që kryen, për të më zemëruar, duke shkuar për t'u kushtuar temjan e për t'u shërbyer perëndive të tjerë, që nuk i njihnit as ju, as etërit tuaj. Unë ju kam dërguar pareshtur të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, për t'ju thënë: mos e bëni këtë pështirësi, që unë e urrej, por ata nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin për të hequr dorë nga ligësia e tyre e për të mos u kushtuar temjan perëndive të tjerë. Prandaj, zemërimi im e hidhërimi im u zbrazën e u ndezën në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, që u shkatërruan e u shkretuan, siç janë edhe sot. Prandaj, kështu thotë ZOTI, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: pse po e kryeni këtë ligësi të madhe kundër vetes suaj, sa të zhbihen prej jush burri e gruaja, fëmija e foshnja, e të mos mbesë prej jush një tepricë? Pse më zemëroni me veprat e duarve tuaja, duke u kushtuar temjan perëndive të huaj në dheun e Egjiptit, ku keni ardhur për të banuar, që të zhbiheni e të bëheni mallkim e tallje mes të gjitha kombeve të dheut? A i keni harruar ligësitë e etërve tuaj, ligësitë e mbretërve të Judës, ligësitë e prijësve tuaj, ligësitë tuaja e të grave tuaja, që kryet në dheun e Judës e në rrugët e Jerusalemit? Nuk janë penduar deri më sot, nuk janë druajtur e nuk kanë ecur sipas ligjit tim e rregullave të mia që ju parashtrova juve dhe etërve tuaj. Prandaj, kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, po kthej fytyrën kundër jush për keq e për ta zhbirë tërë Judën. Do ta marr tepricën e Judës, që vendosi të vinte e të banonte në dheun e Egjiptit, do të marrin fund të gjithë në dheun e Egjiptit, do të bien prej shpatës e prej urisë do të marrin fund që nga më i vogli te më i madhi. Prej shpatës e prej urisë do të vdesin e do të bëhen mallkim, tmerr, nëmë e tallje. Do t'i ndëshkoj ata që banojnë në dheun e Egjiptit, siç ndëshkova Jerusalemin, me shpatë, me uri e me murtajë. Nuk do të shpëtojë as do të ikë askush nga teprica e Judës që ka ardhur për të banuar në dheun e Egjiptit për t'u kthyer në dheun e Judës, ku dëshirojnë të kthehen për të banuar. Nuk do të kthehen, përveç disa të ikurve».