Fjala që ZOTI i drejtoi Jeremisë, kur Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, mbarë ushtria e tij, mbarë mbretëritë e tokës nën sundimin e tij dhe të gjithë popujt po luftonin kundër Jerusalemit e qyteteve të tij: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: shko, fol me Sedekinë, mbretin e Judës, e thuaji: “Kështu thotë ZOTI: ja, po ia dorëzoj këtë qytet mbretit të Babilonisë e ai do ta djegë me zjarr. Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të të kapin e do të të dorëzojnë tek ai. Do të shikosh sy më sy mbretin e Babilonisë, do të flasësh me të ballë për ballë e do të shkosh në Babiloni”. Megjithatë, dëgjoje fjalën e ZOTIT, o Sedeki, mbreti i Judës. Kështu thotë ZOTI për ty: ti nuk do të vdesësh prej shpatës. Në paqe do të vdesësh dhe, siç u dogj erë e mirë për etërit tuaj, mbretërit e dikurshëm, që ishin para teje, ashtu do të digjet edhe për ty e do të vajtojnë për ty: ah, Imzot! Se unë kam folur, kumton ZOTI».
Profeti Jeremi ia tha Sedekisë, mbretit të Judës, të gjitha këto fjalë në Jerusalem, ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë po luftonte kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qyteteve të Judës, që kishin mbetur, Lakishit e Azekahut, se këto ishin qytetet e vetme të fortifikuara të Judës që kishin mbetur.