Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 22:20-30

Jeremia 22:20-30 AL1

Ngjitu në Liban e bërtit, në Bashan ngrije zërin, bërtit në Abarim, se u thyen të gjithë dashnorët e tu. Fola me ty kur ishe e begatë, por the: “Nuk do të dëgjoj”. Kjo ka qenë sjellja jote që në rini, se nuk e dëgjoje zërin tim. Të gjithë barinjtë e tu do t'i kullotë era e dashnorët e tu do të shkojnë në robëri. Atëherë do të turpërohesh e do të poshtërohesh për gjithë ligësinë tënde. O ti që banon në Liban, që e ke vënë folenë ndër cedra, si do të rënkosh kur të të vijnë mundimet, dhimbjet si të gruas kur lind? Pasha jetën time, kumton ZOTI, edhe po të ishte Konjahu, biri i Jehojakimit, mbretit të Judës, unazë vule në dorën time të djathtë, do të të kisha shqitur që andej. Do të të lë në dorë të atyre që kërkojnë të të marrin shpirtin, në dorë të atyre që ua ke frikën, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e në dorë të kaldenjve. Do të të flak ty e nënën që të lindi në një tjetër dhe, ku nuk pate lindur, por ku do të vdesësh. Ndërsa në tokën ku ua do shpirti të kthehen, atje nuk do të kthehen. A poç i përçmuar e i thërrmuar është ky njeri, Konjahu? Enë që askush s'e dëshiron? Pse janë flakur ai e fara e tij, e janë degdisur, në një tokë që nuk e njohin? O tokë, o tokë, o tokë, dëgjoje fjalën e ZOTIT! Kështu thotë Zoti: shënojeni këtë njeri si shterpë, burrë që nuk ia ka dalë në jetë, se nuk do të dalë prej farës së tij një burrë që të ulet në fronin e Davidit e të sundojë përsëri në Judë».