Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 2:1-37

Jeremia 2:1-37 AL1

Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Shko e bërtiti në veshë Jerusalemit. Kështu thotë ZOTI: më kujtohet përkushtimi i rinisë sate, dashuria jote vajzërore, kur rendje pas meje në shkretëtirë, në tokë të pambjellë. I shenjtë ishte Izraeli për ZOTIN, fryti i tij i parë. Ata që e kafshonin binin në faj, zezona i zinte, kumton ZOTI. Dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o shtëpia e Jakobit dhe të gjitha fiset e shtëpisë së Izraelit. Kështu thotë ZOTI: çfarë të mete gjetën tek unë etërit tuaj, që u larguan prej meje, rendën pas kotësisë dhe u bënë të kotë? A nuk thanë: “Ku është ZOTI, që na solli nga dheu i Egjiptit, që na priu në shkretëtirë, në tokë djerr e plot gropa, në tokë të thatë e të errët, në dheun ku nuk kalon njeri e ku askush nuk banon?”. Unë ju solla në tokë frutore, që të hani frytet dhe begatitë e saj, por ju hytë dhe e ndotët vendin tim, e bëtë të neveritshme trashëgiminë time. Priftërinjtë nuk pyetën: “Ku është ZOTI?”. Shtjelluesit e ligjit nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan sipas Baalit e rendën pas kotësive. Prandaj do të rragatem me ju, kumton ZOTI, edhe me bijtë e bijve tuaj do të rragatem. Shkoni, pra, në brigjet e Kitimit e shikoni, dërgoni për të vërejtur hollë në Kedar e shihni a kanë ndodhur gjëra të tilla atje. A i ka këmbyer ndonjë komb perënditë, edhe pse ata s'janë perëndi? Por populli im e ka këmbyer lavdinë e vet me çfarë është e pavlerë. Hutohuni nga kjo gjë, o qiej, tranduni e trishtohuni thellë, kumton ZOTI. Se dy ligësi bëri populli im: më braktisi mua, gurrën e ujit të gjallë, për të hapur për vete sterna, sterna të shpuara, që nuk mbajnë ujë. Mos është skllav Izraeli, skllav i lindur në shtëpi? Përse u bë pre? Luanët ulërinë kundër tij me zërin e tyre të lartë. E shkretuan tokën e tij, qytetet e tij u rrënuan e s'kanë më banorë. Edhe bijtë e Memfisit e Tahpanhesit ta kanë rruar kokën. A nuk ia bëre vetes, duke braktisur ZOTIN, Perëndinë tënd, kur ai të priu udhës sate? Ç'ke që rend drejt Egjiptit për të pirë ujin e Nilit? Ç'ke që rend drejt Asirisë për të pirë ujin e Eufratit? Ligësia jote do të të ndëshkojë, pabesia jote do të të qortojë. Merre vesh e shiko sa keq e sa hidhur është për ty të braktisësh ZOTIN, Perëndinë tënd. Nuk dridhesh më para meje, kumton Zoti, ZOTI i ushtrive. Ja, qëmoti e kam copëtuar zgjedhën tënde e i kam thyer vargonjtë e tu, e ti the: “Nuk do të shërbej”, prandaj mbi çdo kodër të lartë e nën çdo pemë të harbuar u shtrive porsi lavire. Të pata mbjellë si hardhi e zgjedhur, prej farës së pastër. Si m'u tjetërsove e u bëre hardhi e egër? Edhe po të lahesh me finjë e të fërkohesh me shumë sapun, para syve e kam damkën e fajit tënd, kumton ZOTI, Zoti im. Si mund të thuash: “Nuk jam përlyer, nuk renda pas Baalëve”? Shiko gjurmët ku ke ecur nëpër luginë, prano çfarë ke bërë, o deve e shkathët endacake, gomare e egër e mësuar me shkretëtirën, që nuhat ajrin kur e kap afshi. Kush mund ta ndalë epshin e saj? Kushdo që e dëshiron, nuk mundohet, por e gjen gjithmonë në muajin e vet. Ruaje këmbën, mos të mbetet zbathur e fytin mos të mbetet etur. Por ti the: “Jo, është e kotë, se të huajt dashurova e pas tyre do të rend”. Siç turpërohet vjedhësi kur kapet, ashtu do të turpërohet shtëpia e Izraelit, ata, mbretërit e tyre, prijësit, priftërinjtë e profetët e tyre, që i thonë drurit: “Ti je im atë” e gurit: “Ti më ke lindur”. Më kanë kthyer kurrizin e jo fytyrën, por, kur i zë zezona, thonë: “Ngrihu e shpëtona!”. Ku janë perënditë që sajove për vete? Le të ngrihen, nëse të shpëtojnë në kohën e zezonës, se, sa numri i qyteteve të tua janë perënditë e tua, o Judë. Pse grindeni me mua? Ju të gjithë ngritët krye kundër meje, kumton ZOTI. Më kot i godita bijtë tuaj, nuk e morën mësimin. Profetët tuaj i përpiu shpata juaj, si luani rrënimtar. Ju, o brezni, vëreni fjalën e ZOTIT. Mos vallë isha shkretëtirë për Izraelin, apo tokë e terratisur? Përse thotë populli im: “Do të endemi të lirë, te ti më nuk do të kthehemi”? A i harron vashëza stolitë e veta, apo nusja brezin nusëror? Por populli im më ka harruar prej shumë kohësh. Sa mirë e gjen udhën për të lypur dashuri! Deri edhe të përdalave ua mësove udhët e tua. Në petkun tënd gjendet gjaku i nevojtarëve të pafajshëm, të cilët s'i kape duke thyer derën. Me të gjitha këto, thua: “Jam, e pafaj, prandaj iku prej meje zemërimi i tij”. Ja, do t'ju hap gjyq, sepse thatë: “Unë s'kam mëkatuar”. Sa shpërfillshëm ndërron udhë! Edhe nga Egjipti do të mbulohesh me turp, siç u mbulove me turp nga Asiria. Edhe që andej do të dalësh duke mbajtur kokën me duar, se ZOTI i ka përzënë besnikët e tu e ti nuk do të begatohesh falë tyre».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë