Fjala që ZOTI i drejtoi Jeremisë e i tha: «Dëgjojini fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe foluni njerëzve të Judës e banorëve të Jerusalemit. Thuaju atyre: “Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: mallkuar qoftë njeriu që nuk i dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje, që u urdhërova etërve tuaj, kur i nxora nga toka e Egjiptit, nga shkritoret. U pata thënë: dëgjojeni zërin tim dhe zbatoni gjithçka ju urdhërova, që ju të jeni populli im e unë të jem Perëndia juaj, që të mund ta mbaj betimin që u bëra etërve tuaj, për t'u dhënë një tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç është sot”». Atëherë unë u përgjigja: «Ashtu qoftë, ZOT!».
Dhe ZOTI më tha: «Shpall në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit të gjitha këto fjalë: dëgjojini fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe zbatojini, se fort i porosita etërit tuaj, që nga dita kur i nxora nga Egjipti deri më sot, duke u thënë ta dëgjonin zërin tim. Por ata nuk dëgjuan e nuk vunë vesh, përkundrazi, secili ndoqi kryeneçësinë e zemrës së vet të ligë, prandaj ua vura kundër të gjitha fjalët e kësaj besëlidhjeje që u urdhërova ta zbatonin, por nuk e zbatuan».
ZOTI më tha: «Njerëzit e Judës dhe banorët e Jerusalemit kanë bërë një përbetim. Ata iu kthyen ligësive të hershme të etërve të tyre, të cilët nuk deshën t'i dëgjonin fjalët e mia, por shkuan pas perëndive të tjerë e u shërbyen. Shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës e thyen besëlidhjen që unë kisha bërë me etërit e tyre. Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, po u lëshoj një fatkeqësi, prej të cilës nuk mund të shpëtojnë. Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do t'i dëgjoj. Qytetet e Judës dhe banorët e Jerusalemit do të shkojnë e do të thërrasin perënditë, të cilëve u kushtojnë temjan, por ata nuk do t'i shpëtojnë, kur t'i ketë zënë fatkeqësia. Se sa numri i qyteteve të tua janë edhe perënditë e tua, o Judë. Sa numri i rrugëve të Jerusalemit janë altarët e turpit, altarët për t'i kushtuar temjan Baalit.
Ti mos u lut për këtë popull. Mos lartëso përgjërime e lutje për të, se nuk do t'i dëgjoj, kur të më thërrasin në fatkeqësinë e tyre. Çfarë do i shtrenjti im në shtëpinë time? Ka kryer shumë vepra të liga. A mund të ta shmangë ndëshkimin mishi i kushtuar, që pastaj të ngazëllesh? Ulli i harlisur, i bukur e me fryte të shijshme, kështu ta kishte vënë emrin ZOTI. Me ushtimën e stuhisë i vuri zjarr e u dogjën degët e tij. Zoti i ushtrive, që të mbolli, shpalli fatkeqësinë kundër teje, nga fatkeqësia që i shkaktoi vetes shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës, duke më zemëruar me flinë kushtuar Baalit.