Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 10:1-16

Jeremia 10:1-16 AL1

Dëgjojeni fjalën që ju drejton ZOTI, o shtëpia e Izraelit. Kështu thotë ZOTI: «Mos i mësoni udhët e kombeve e mos u tmerroni nga shenjat e qiellit, meqë prej tyre kanë frikë kombet, se doket e kombeve janë kotësi, se idhujt janë një dru i prerë nga pylli, latuar me sëpatë nga dora e zejtarit. I zbukurojnë me argjend e ar, i kapin me gozhdë e çekanë, që të mos lëkunden. Si dordoleci në arë trangujsh janë e nuk flasin, duhet t'i mbartin, se nuk ecin dot. Mos kini frikë prej tyre, se nuk bëjnë dëm e nuk është në dorën e tyre as të bëjnë mirë». Askush nuk është si ti, o ZOT. Ti je i madh e i madh është emri yt i fuqishëm. Kush nuk do të ta ketë frikën, o mbreti i kombeve? Vetëm ty të takon, se ndër gjithë të urtët e kombeve e në mbarë mbretëritë e tyre nuk ka si ti. Janë tok të marrë e të pamend, mësimi i tyre është kotësi, një copë dru është. Është argjend i rrahur, sjellë nga Tarshishi, dhe ar nga Ufazi, vepër zejtari e argjendari, veshur me vjollcë e me purpur të gjitha me mjeshtëri punuar. Por ZOTI është vërtet Perëndi, Ai është Perëndia i gjallë e mbreti i amshuar. Prej zemërimit të tij dridhet toka, kombet nuk e durojnë furinë e tij. Kështu do t'u thuash: «Perënditë, që nuk bënë qiellin e tokën, do të zhbihen mbi tokë e nën qiell». Ai e bëri tokën me fuqinë e vet, me urtinë e vet e themeloi botën, qiejt me mençuri i shpalosi. Me ushtimën e tij trazohen ujërat në qiell, nga skaji i dheut i ngre retë, ai e lëshon vetëtimën në shi dhe nxjerr erën nga qilarët e vet. Çdo njeri hutohet nga padija, çdo farkëtar turpërohet prej idhujve, se e gënjeshtërt është çfarë ka farkëtuar e frymë në to nuk ka. Ato janë kotësira, vepra qesharake, në kohën e ndëshkimit, do të rrënohen. Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit, se ai i dha trajtë gjithçkaje, Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. ZOT i ushtrive është emri i tij.