Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 1:1-19

Jeremia 1:1-19 AL1

Fjalët e Jeremisë, birit të Hilkiahut, njërit prej priftërinjve të Anatotit në dheun e Benjaminit, të cilit iu drejtua fjala e ZOTIT në kohën e Josisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, në vitin e trembëdhjetë të mbretërimit të tij dhe në kohën e Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, deri në fund të vitit të njëmbëdhjetë të Sedekisë, birit të Josisë, mbretit të Judës, deri në shpërnguljen e Jerusalemit, në muajin e pestë. Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Para se të të jepja trajtë në barkun amënor, të njoha, para se të dilje nga rropullitë, të veçova, profet për kombet të caktova». Thashë: «Ah, ZOT, Zoti im, ja, unë nuk di të flas, se jam i ri». Por Zoti më tha: «Mos thuaj: “Jam i ri”, se do të shkosh te të gjithë ata ku po të dërgoj e do të thuash gjithçka të urdhëroj. Mos u tut prej tyre, se unë jam me ty për të të çliruar. Kumton ZOTI». ZOTI shtriu dorën e më preku gojën. Pastaj ZOTI më tha: «Ja, vura në gojën tënde fjalët e mia. Shiko, sot po të vë përmbi kombe e përmbi mbretëri, për të shkulur e për të rrënuar, për të shkatërruar e për të shembur, për të ndërtuar e për të mbjellë». Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Çfarë shikon, Jeremi?». Thashë: «Një degë bajameje shikoj». ZOTI më tha: «Mirë ke parë! Se unë i mbaj sytë hapur mbi fjalën time, për ta zbatuar». Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Çfarë shikon?». Thashë: «Një vorbë që zien shoh, me pamje kah veriu». Pastaj ZOTI më tha: «Nga veriu do të vërshojë mjerimi mbi të gjithë banorët e dheut. Se, ja, po i thërras të gjitha fiset e mbretërive të veriut, kumton ZOTIT, dhe ata do të vijnë e secili do ta vendosë fronin te hyrja e portave të Jerusalemit, kundër mureve përreth tij e kundër gjithë qyteteve të Judës. Atëherë do të shpall vendimet e mia kundër tyre, për ligësinë me të cilën më braktisën e u kushtuan fli perëndive të tjerë, duke adhuruar veprat e duarve të veta. Por ti, ngjish brezin, ngrihu e shpallu gjithçka të urdhëroj unë. Mos u trondit para tyre, që të mos të trondis edhe unë para tyre. Ja, unë sot po të bëj si një qytet të rrethuar me ledhe, si shtyllë të hekurt e si muret e bronzta kundër mbarë dheut, kundër mbretit të Judës e prijësve të tij, kundër priftërinjve të tij e popullit të dheut. Do të luftojnë kundër teje, por nuk do të të mposhtin, se unë jam me ty për të të shpëtuar, kumton ZOTI».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë