Kur njerëzit e qytetit u ngritën të nesërmen në mëngjes, panë altarin e Baalit të shkatërruar, shtyllën e Asherasë pranë tij të copëtuar dhe demin e dytë të kushtuar mbi altarin e rindërtuar. Atëherë filluan t'i thonë njëri-tjetrit: «Kush e ka bërë këtë?». Hetuan e pyetën për këtë çështje e u thanë se e kishte bërë Gideoni, biri i Joashit. Burrat e qytetit i thanë Joashit: «Nxirre djalin jashtë që ta vrasim, se ka shkatërruar altarin e Baalit dhe ka prerë shtyllën e Asherasë që ishte pranë altarit». Joashi u tha të gjithë atyre që e kishin rrethuar: «Juve ju takuaka të mbroni e të shpëtoni Baalin? Ai që do të mbrojë Baalin, do të vdesë deri nesër në mëngjes. Nëse Baali na qenka perëndi, atëherë le të mbrohet vetë nga ai që ia prishi altarin». Që prej asaj dite Gideoni u quajt Jerubaal, që do të thotë «Baali le të mbrohet vetë», sepse i kishte prishur altarin. Të gjithë midianitët, amalekitët dhe popujt e lindjes u mblodhën bashkë, kaluan Jordanin dhe fushuan në luginën e Izrelit. Atëherë shpirti i ZOTIT e mbuloi Gideonin dhe ai i ra bririt të dashit për të thirrur abiezeritët që t'i shkonin pas. Dërgoi lajmëtarë në mbarë Manaseun dhe i thirri pasardhësit e Manaseut që t'i shkonin pas. Dërgoi lajmëtarë edhe në Asher, në Zabulon dhe në Neftali dhe ata shkuan e u bashkuan me të. Atëherë Gideoni i tha Perëndisë: «Nëse do ta shpëtosh Izraelin përmes dorës sime, sikurse the, do të vë një shtëllungë leshi në lëmë. Po të ketë vesë vetëm mbi shtëllungën e leshit, ndërkohë që gjithë vendi përreth shtëllungës mbetet i thatë, atëherë do ta di se do ta shpëtosh me të vërtetë Izraelin përmes dorës sime». Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen Gideoni u ngrit herët, shtrydhi shtëllungën e leshit dhe prej saj doli një kupë ujë. Dhe Gideoni i tha Perëndisë: «Mos u zemëro me mua, por do të flas edhe një herë. Më lejo ta bëj edhe një herë provën e shtëllungës. Këtë herë, të lutem, le të jetë e thatë shtëllunga e leshit, ndërsa vendi përreth saj le të laget nga vesa». Dhe ashtu bëri Perëndia. Atë natë ra vesë mbi mbarë vendin, por shtëllunga e leshit mbeti e thatë.
Lexo Gjyqtarët 6
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Gjyqtarët 6:28-40
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video