Jeftahu nga Gileadi ishte trim i fuqishëm. Ai ishte biri i Gileadit që kishte lindur nga një lavire. Por gruaja e Gileadit i kishte lindur atij edhe bij të tjerë. Kur u rritën, ata e dëbuan Jeftahun e i thanë: «Ti nuk ke për të pasur pjesë në trashëgiminë e atit tonë, sepse je biri i një gruaje tjetër». Atëherë Jeftahu u largua nga vëllezërit e tij dhe jetoi në vendin e Tobit. Rreth tij u bashkuan njerëz të poshtër, që dilnin për të plaçkitur bashkë me të. Pas njëfarë kohe amonitët sulmuan Izraelin. Kur amonitët sulmuan Izraelin, pleqësia e Gileadit shkoi për të marrë Jeftahun në vendin e Tobit. Ata i thanë Jeftahut: «Eja e bëhu prijësi i ushtrisë sonë, për të luftuar me amonitët». Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «A nuk ishit ju ata që më urryet e më zbuat nga shtëpia e tim eti? Përse keni ardhur tek unë tani që keni rënë ngushtë?». Pleqësia e Gileadit i tha: «Kemi ardhur tani te ti, që të vish me ne e të luftosh kundër amonitëve e të bëhesh prijësi i të gjithë banorëve të Gileadit». Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «Nëse më ktheni për të luftuar kundër amonitëve dhe nëse ZOTI m'i dorëzon, do të bëhem prijësi juaj». Pleqësia e Gileadit i tha: «ZOTI do të jetë dëshmitar mes nesh, se do të bëjmë siç the». Atëherë Jeftahu shkoi bashkë me pleqësinë e Gileadit dhe populli e caktoi si prijës e sundues. Jeftahu i përsëriti në Micpah para ZOTIT të gjitha fjalët që pati thënë më parë. Jeftahu i dërgoi lajmëtarë mbretit të amonitëve e i tha: «Çfarë ke me mua, që ke ardhur për të sulmuar vendin tim?». Mbreti i amonitëve iu përgjigj lajmëtarëve të Jeftahut: «Izraeli mori tokën time kur erdhi nga Egjipti, duke filluar nga Arnoni e deri në Jabok e në Jordan. Tani, na i ktheni këto toka me paqe». Jeftahu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të amonitëve e i tha: «Kështu thotë Jeftahu: Izraeli nuk ka marrë as tokën e Moabit e as tokën e amonitëve.
Lexo Gjyqtarët 11
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Gjyqtarët 11:1-15
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video