Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 1:5-30

Gjyqtarët 1:5-30 AL1

Në Bezek gjetën Adonibezekun. E sulmuan dhe mposhtën kananitët e perizitët. Adonibezeku mori arratinë, por ata iu vunë pas, e kapën dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve. Atëherë Adonibezeku tha: «Shtatëdhjetë mbretërve ua preva gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve e ata mblidhnin thërrime nën tryezën time. Siç ua bëra unë atyre, po ma bën Perëndia mua». Pastaj e sollën në Jerusalem, ku edhe vdiq. Pasardhësit e Judës sulmuan Jerusalemin dhe e pushtuan. Banorët i vranë me shpatë, ndërsa qytetit i vunë flakën. Më pas ata sulmuan kananitët që banonin në malësi, në Negev dhe në ultësirë. Pastaj fisi i Judës sulmoi kananitët që banonin në Hebron, i cili më parë quhej Kirjat Arba. Aty mposhtën Sheshain, Ahimanin e Talmain. Mandej marshoi kundër banorëve të Debirit, i cili më parë quhej Kirjat Sefer. Atëherë Kalebi tha: «Atij që do të pushtojë Kirjat Seferin do t'i jap për grua time bijë, Aksahanë». Qytetin e pushtoi Otnieli, biri i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe Kalebi i dha për grua të bijën, Aksahanë. Kur ajo erdhi tek Otnieli, ai e nxiti që t'i kërkonte të atit një arë. Ndërsa zbriste nga gomari, Kalebi e pyeti: «Çfarë ke?». Ajo i tha: «Më jep një gjë si bekim. Më ke dhënë tokë në Negev, por dua të më japësh edhe ndonjë burim uji». Atëherë Kalebi i dha burimet e sipërme dhe burimet e poshtme. Pasardhësit e Keniut, vjehrrit të Moisiut, u larguan nga qyteti i Palmave bashkë me pasardhësit e Judës dhe shkuan të banonin me popullin në shkretëtirën e Judës, në Negev të Aradit. Fisi i Judës marshoi bashkë me fisin e Simeonit, vëllait të vet, dhe së bashku sulmuan kananitët që banonin në Cepat. Cepatin e shkatërruan plotësisht dhe e quajtën Hormah. Pastaj fisi i Judës pushtoi Gazën me rrethina, Ashkelonin me rrethina dhe Ekronin me rrethina. ZOTI ishte me fisin e Judës dhe Juda e pushtoi malësinë, por banorët e ultësirës nuk mundi t'i dëbojë, sepse kishin qerre hekuri. Hebronin ia dhanë Kalebit, siç kishte thënë Moisiu, dhe Kalebi i dëboi të tre bijtë e Anakut. Pasardhësit e Benjaminit nuk mundën t'i dëbojnë jebusitët që banonin në Jerusalem, prandaj edhe jebusitët banojnë në Jerusalem bashkë me pasardhësit e Benjaminit edhe sot e kësaj dite. Pasardhësit e Jozefit shkuan në Betel dhe ZOTI ishte me ta. Ata kishin dërguar më parë njerëz që ta përgjonin qytetin. Beteli quhej më parë Luz. Përgjuesit panë një njeri që po dilte nga qyteti e i thanë: «Ti na trego si të hyjmë në qytet e ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty». Atëherë u tregoi si të hynin në qytet dhe i vranë me shpatë banorët e qytetit. Atë e lanë të ikte me gjithë familjen e tij. Ai njeri shkoi në vendin e hititëve dhe ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Luz, emër që e mban edhe sot e kësaj dite. Fisi i Manaseut nuk mundi të dëbonte banorët e Bet Sheanit, Tanakut, Dorit, Ibleamit dhe Megidosë, si edhe të fshatrave përreth tyre, sepse kananitët ishin treguar të vendosur të banonin në atë vend. Kur izraelitët u bënë më të fortë, i kthyen kananitët në robër pune, por nuk i dëbuan plotësisht. Fisi i Efraimit nuk mundi t'i dëbonte kananitët që banonin në Gezer, prandaj dhe kananitët banojnë mes tyre në Gezer. Fisi i Zabulonit nuk mundi t'i dëbonte banorët e Kitronit dhe të Nahalolit. Kananitët banojnë mes tyre dhe u bënë robër pune.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Gjyqtarët 1:5-30

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë