Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jakobi 2:1-13

Jakobi 2:1-13 AL1

Vëllezërit e mi, mos e përzieni besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit, me dallimet ndërmjet njerëzve. E zëmë se kur mblidheni së bashku, vjen dikush që ka unazë ari e veshje të shtrenjta, si edhe një i varfër me veshje të vjetra. Nëse tregoni kujdes të veçantë për atë që ka veshur rrobat e shtrenjta e i thoni: «Ti ulu këtu në vendin e mirë!», ndërsa të varfrit i thoni: «Ti rri në këmbë atje ose ulu këtu te këmbët e mia!», a nuk bëni kështu dallime mes jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga? Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës për t'i bërë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? Ndërsa ju nuk e nderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju sundojnë e ju heqin zvarrë nëpër gjyqe? A nuk janë ata që përdhosin emrin e mirë me të cilin jeni quajtur? Nëse zbatoni ligjin e mbretërisë sipas Shkrimit: duaje të afërtin si veten, bëni mirë. Por nëse bëni dallime, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës. Kush e zbaton të gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, bëhet fajtor ndaj të gjithë ligjit. Sepse ai që tha: « Mos bëj tradhti bashkëshortore! », tha edhe: « Mos vrit! ». Nëse nuk bën tradhti bashkëshortore, por vret, atëherë ke shkelur ligjin. Prandaj flisni e veproni si njerëz që do të gjykohen me ligjin e lirisë. Gjykimi do të jetë i pamëshirshëm me atë që nuk ka treguar mëshirë, ndërsa mëshira ngadhënjen mbi gjykimin.