Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 61:1-11

Isaia 61:1-11 AL1

Shpirti i ZOTIT, Zotit tim, është mbi mua, se vetë ZOTI më ka vajosur, më ka dërguar t'u shpall lajmin e mirë të vobektëve, t'u lidh plagët zemërthyerve, t'u shpall çlirimin të robëruarve, të burgosurve, daljen nga burgu, të shpall vitin e hirit të ZOTIT dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë, t'u jap ngushëllim të gjithë atyre që vajtojnë, të ngushëlloj ata që vajtojnë në Sion, t'u vë kësula mbi kokë në vend të hirit, vajin e gëzimit, në vend të zisë, petkun e lavdit, në vend të shpirtit të thyer, që lisa drejtësie të quhen, mbëltim i ZOTIT, për lavdi të tij. Rrënojat e lashta do t'i ndërtojnë sërish, gërmadhat e vjetra do t'i ngrenë, do të përtërijnë qytetet e shkretuara, të shkatërruara prej shumë breznish. Të huaj do të vijnë për t'jua kullotur tufat, bij të huajsh do të jenë bujqit e vreshtarët tuaj. E ju do të quheni «priftërinj të ZOTIT». «Shërbëtorë të Perëndisë tonë», do të thonë për ju. Do të gëzoni të mirat e kombeve, me pasurinë e tyre do të krenoheni. Dyfish të turpëruar keni qenë, «Çnderimi është fati i tyre!», për ju bërtitën, prandaj tokën tuaj dyfish do ta trashëgoni e gëzim të përhershëm do të keni. Se unë, ZOTI, që e dua drejtësinë dhe e urrej plaçkitjen e paudhësinë, unë do t'ju jap shpërblimin me besnikëri e do të bëj me ju një besëlidhje të amshuar. Fara juaj do të jetë e njohur mes kombeve, pasardhësit tuaj mes popujve. Kushdo që do t'i shohë, do t'i njohë, ata janë fara e bekuar prej ZOTIT. I madh është gëzimi im në ZOTIN, shpirti im ngazëllen në Perëndinë tim, se më veshi me rrobat e shpëtimit, me petkun e drejtësisë më mbuloi, si një dhëndër stolisur me kësulë, si një nuse zbukuruar me stoli. Siç bën toka të mbijë bimësia, si kopshti që rrit farën e mbjellë, ashtu do ta rritë ZOTI, Zoti im, drejtësinë dhe lavdërimin përpara gjithë kombeve.