Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 58:1-14

Isaia 58:1-14 AL1

Bërtit fort! Mos u përmba! Ngrije zërin porsi boria! Shpallja popullit tim paudhësitë e veta, shtëpisë së Jakobit mëkatet e veta. Ditë për ditë më kërkojnë, udhët e mia duan t'i njohin, si të ishin një popull, që zbaton drejtësinë, që nuk i braktis vendimet e Perëndisë. Kërkojnë prej meje gjykim të drejtë, dëshirojnë t'i afrohen Perëndisë. «Përse të agjërojmë, kur ti nuk shikon?», thonë. «Përse ta mundojmë veten, kur ti nuk do t'ia dish?». Ja, ditën e agjërimit ju bëni si doni e të gjithë punëtorët tuaj në punë i mbytni. Ju agjëroni mes grindjesh e zënkash, njëri-tjetrin pabesisht me grusht e gjuani. Nëse agjëroni si sot, zëri juaj lart nuk do të dëgjohet. Përse, i tillë qenka agjërimi që unë pëlqej? E tillë dita kur njeriu përul shpirtin e tij? Të ulësh kokën porsi xunkthi e të shtrihesh në grathore e në hi, pse, këtë quan agjërim e ditë që i pëlqen ZOTIT? Agjërimi që më pëlqen mua, a s'është vallë të këputësh vargonjtë e paudhësisë, të zgjidhësh litarët e zgjedhës, të lësh të lirë të shtypurit, të dërrmosh çdo zgjedhë? A s'është ta ndash bukën me të uriturin, të presësh në shtëpi të varfrin e pastrehë, ta shohësh dikë të zhveshur e ta veshësh, dhe farefisin tënd të mos e lësh pas dore? Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi, shërimi yt do të gëlojë me vrull, përpara do të të prijë drejtësia jote, praparojë do të kesh lavdinë e ZOTIT. Atëherë do të thërrasësh e ZOTI do të të dëgjojë, do t'i kërkosh ndihmë e do të të përgjigjet: «Ja, ku jam!». Nëse heq dorë prej zgjedhës, prej gishtit paditës e fjalëve të liga, nëse jepesh me shpirt ndaj të pangrënit, nëse ia ngin barkun skamnorit, atëherë drita jote do të shndritë në errësirë e terri yt do të jetë porsi mesdita. ZOTI do të të prijë përherë, do të ta kënaqë shpirtin në shkreti, do t'i forcojë kockat e tua, e ti do të jesh si kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave që nuk shterojnë kurrë. Njerëzit e tu do t'i ndërtojnë rrënojat e lashta, do t'i ngresh sërish themelet e lëna brez pas brezi. Kështu ti do të quhesh: «Rindërtuesi i rrënojave, ndreqësi i udhëve për në vendbanim». Nëse e përmban këmbën, që të mos e shkelësh të shtunën, nëse nuk bën ç'të duash në ditën time të shenjtë, por e çmon si kënaqësi të shtunën, si ditën e nderuar e të shenjtë të ZOTIT, dhe e nderon duke mos u nisur për udhë, duke mos kryer punë e duke mos bërë marrëveshje, atëherë do të gjesh kënaqësi në ZOTIN e unë do të të bëj të kalërosh mbi lartësitë e tokës, do të të ushqej prej trashëgimisë së Jakobit, atit tënd, se kështu ka folur goja e ZOTIT.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë