Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 49:1-26

Isaia 49:1-26 AL1

Dëgjomëni, o ujdhesa, bëni kujdes, o popuj të largët! ZOTI më thirri që në ngjizje, e kujtoi emrin tim që kur isha në bark të nënës. Gojën time e bëri si shpata e mprehtë, nën hijen e dorës së tij më mbajti fshehur, më bëri të jem një shigjetë që shndrin, në kukurën e vet ai më fshehu. E më tha: «Ti je shërbëtori im, o Izrael, në të cilin do të dëftej lavdinë time». E unë thashë: «Më kot u mundova, më kot i shterova fuqitë e mia, e drejta ime është pranë ZOTIT, shpërblimi im është te Perëndia im». Kështu thotë tani ZOTI, ai që më dha trajtën e shërbëtorit të vet që në barkun e nënës, për të kthyer tek ai Jakobin, për të mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm në sytë e ZOTIT, Perëndia im u bë fuqia ime. Ai më tha: «Tepër pak është të jesh shërbëtori im, për të ringritur fiset e Jakobit, për të rikthyer tepricën e Izraelit. Po të caktoj si dritë të popujve, që të jesh shpëtimi im deri në skajet e tokës». Kështu i thotë ZOTI, shpenguesi i Izraelit, i shenjti i Izraelit, atij që e përbuzin njerëzit, atij që e përçmojnë kombet, skllavit të sundimtarëve: Mbretërit do të shohin e do të ngrihen në këmbë, princat do të bien përmbys, për shkak të ZOTIT, që është besnik, të shenjtit të Izraelit, që të zgjodhi ty. Kështu thotë ZOTI: Në kohën e duhur të jam gjendur, ditën e shpëtimit të kam ndihmuar. Të kam ruajtur, të kam caktuar të jesh besëlidhja e popullit, që vendin ti ta përtërish, që të rindash trashëgimitë e shkatërruara, për t'u thënë të burgosurve: «Dilni!», atyre që janë në errësirë: «Shfaquni!». Përgjatë udhëve do të kullotin, kullotat do t'i kenë mbi çdo kodër të zhveshur. Nuk do të kenë uri, nuk do të kenë etje, nuk do t'u bjerë as vapa e as dielli, se do t'u prijë ai që ka mëshirë për ta, nëpër burime ujërash do t'i çojë. Gjithë malet e mia në udhë do t'i kthej, rrugët e mia të mëdha më lart do t'i ngre. Ja, këta do të vijnë nga larg, ata nga veriu e perëndimi, të tjerë nga dheu i Sinimit. Ngazëlloni, o qiej, gëzohu ti, o tokë, brohoritni ju, o male, se ZOTI e ngushëllon popullin e vet, është i mëshirshëm me të varfrit e tij. Sioni tha: «Më braktisi ZOTI, Zoti më ka harruar». A mund ta harrojë gruaja foshnjën e vet e të mos i dhimbset fryti i barkut të vet? Por edhe sikur ato të harronin, unë ty nuk të harroj! Ja, të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia, muret e tua gjithmonë para syve i kam. Bijtë e tu po vijnë me nxitim, ata që të rrënuan e të shkatërruan po ikin prej teje. Ngriji sytë rreth e qark e shiko, të gjithë po mblidhen e po vijnë te ti! Pasha jetën time, kumton ZOTI, do t'i veshësh të gjithë si stoli, porsi nusja do të ngjishesh me ta. Se rrënojat e gërmadhat e tua, bashkë me vendet e tua të shkretuara, të ngushta do të jenë tani për banorët e tu, ndërsa ata që të përpinin, larg do t'ia mbathin. Edhe bijtë e atyre që t'i kishin rrëmbyer do të të thonë në vesh: «Tepër i ngushtë është ky vend për mua, më bëj vend, që të mund të banoj». Atëherë ti do të thuash në zemër: «Po këta prej kujt më lindën? Unë nuk mund të lindja dhe shterp isha, në mërgim dhe dëbuar kam qenë. Po këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, këta, vallë, nga më dolën?». Kështu thotë ZOTI Perëndi: Ja, do ta ngre dorën drejt kombeve, për nga popujt do ta ngre flamurin. Në krahë do t'i sjellin atëherë bijtë e tu, bijat e tua do t'i mbajnë mbi supe. Mbretërit do të jenë birësuesit e bijve të tu, princeshat e tyre, mëndeshat e tua. Me fytyrë përdhe do të përkulen para tyre, do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua. Atëherë do ta dish se unë jam ZOTI, ata që shpresojnë në mua s'do të turpërohen. A mund t'i merret vallë preja të fortit? A mund të shpëtojë i drejti prej robëruesit? Se kështu thotë ZOTI: Robërit do t'i merren edhe të fortit, preja do t'i rrëmbehet tiranit. Kundërshtarëve të tu do t'u kundërvihem e bijtë e tu do t'i shpëtoj. Ata që të shtypin do t'i bëj të hanë mishin e vet, si me musht me gjakun e vet do të dehen. Çdo qenie atëherë do ta dijë se unë jam ZOTI, shpëtimtari yt, jam shpenguesi yt, i fuqishmi i Jakobit.