E tani kështu thotë ZOTI,
ai që të krijoi, o Jakob,
ai që të dha trajtë, o Izrael:
mos ki frikë, se të kam shpenguar,
të kam thirrur me emër, i imi je ti!
Kur të kalosh përmes ujërave, me ty do të jem,
kur të përshkosh lumenjtë, nuk do të mbytesh,
se do të kalosh nëpër zjarr e s'do të digjesh,
flaka ty nuk do të të përvëlojë,
se unë jam ZOTI, Perëndia yt,
i shenjti i Izraelit, shpëtimtari yt.
Për ty dhashë si peng Egjiptin,
me ty këmbeva Kushin e Sebën.
Ti je i çmuar në sytë e mi,
ke vlerë e unë të dua.
I jap njerëzit në këmbim për ty,
popujt në këmbim të jetës sate.
Mos ki frikë, se unë jam me ty,
pasardhësit e tu do t'i kthej prej lindjes,
do t'ju mbledh bashkë prej perëndimit.
Veriut do t'i them: «Dorëzoma!»
e jugut: «Mos i mbaj!».
Ktheji bijtë e mi prej së largu,
bijat e mia prej skajeve të tokës,
tërë ata që thirren me emrin tim,
që i krijova për nderin tim,
që u dhashë trajtë e i bëra.