Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 40:12-31

Isaia 40:12-31 AL1

Kush e ka matur me shuplakë detin apo me pëllëmbë qiellin? Kush e mati me masë pluhurin e tokës apo i vuri në peshore malet e në kandar kodrat? Kush e drejtoi shpirtin e Perëndisë apo i dha ndonjëherë këshilla? Me kë u këshillua e mësoi prej tij apo kush ia mësoi shtegun e drejtësisë? Kush i dha atij dije apo i tregoi udhën e mençurisë? Ja, kombet janë si pika e ujit në kovë, çmohen sa pluhuri në peshore. Ja, ujdhesat i ngre si të ishin kokërr pluhuri. Libani s'do të mjaftonte për të ndezur zjarrin, kafshët e tij s'do të dilnin për flinë e shkrumbimit. Kombet mbarë s'janë asgjë para tij, si një hiç e kotësi vlerësohen prej tij. Me kë, pra, ta krahasoni Perëndinë? Ç'shëmbëllesë do të vini përballë tij? Idhullin e shkrin farkëtari, me fletë ari e vesh argjendari, vargje prej argjendi i derdh përreth. Më i varfri zgjedh dru që s'kalbet e kërkon mandej një mjeshtër të ditur, që idhullin atij t'ia punojë, një idhull që nuk lëviz. A nuk e ditkeni vallë? A nuk e paskeni dëgjuar? A nuk ju është thënë qëmoti? Themelimin e tokës a s'e paskeni kuptuar? Ai rri ulur mbi kubenë e tokës, banorët e saj si karkaleca duken, ai i shpalos qiejt porsi vel, i shtrin si tendë për të banuar. Ai i kthen princat në hiç, të kotë i bën gjyqtarët e tokës. Të porsambjellë, të porsahedhur në tokë, pa zënë rrënjë ende kërcelli, ai u fryn e ata thahen, stuhia i rrëmben porsi kashtën. «Me kë do të më krahasoni?», pyet i Shenjti. «Me kë vallë qenkam i ngjashëm?». Ngrini sytë lart e shikoni! Kush i krijoi çka shihni? Ai që i radhit të gjitha si ushtri, që e thërret secilin me emër. E madhe është fuqia e tij, e vrullshme forca e tij, prandaj dhe nuk mungon asnjë prej tyre. Pse flet kështu, o Jakob? Përse thua, o Izrael: «Udha ime është e fshehur për ZOTIN, Perëndia im s'kujdeset për të drejtën time?». A thua nuk e ditke vallë? A thua s'e paske dëgjuar? ZOTI është Perëndia i amshimit, ai i krijoi skajet e tokës. As lodhet, as mundohet, dija e tij është e pagjurmueshme. Ai i jep fuqi të lodhurit, të këputurit ia shton fuqitë. Të rinjtë lodhen e këputen, më të rriturit pengohen e bien. Por ata që shpresojnë te ZOTI përtërihen në fuqi, marrin krahë si të shqiponjës, vrapojnë e nuk lodhen, ecin e nuk këputen.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Isaia 40:12-31

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë